Prishtinë, 05.08. 2020
Ministria e Pushtetit lokal (MPL), sipas mandatit ligjor, monitoron komunat dhe publikon raporte periodike lidhur me veprimtarinë e komunave. Sa i përket raportit për menaxhimin e situatës së pandemisë COVID-19, MPL, ka monitoruar veprimtarinë e 38 komunave dhe me qëllim të informimit të publikut ka publikuar raportin. Raporti përmban tre pjesë: aktivitetetin e MPL-së në procesin e koordinimit ndër-institucional sa i përket menaxhimit të pandemisë; aktivitetin dhe veprimtarinë e Kuvendeve të Komunave si dhe aspektet financiare dhe ndikimin e pandemisë në të hyrat dhe shpenzimet e komunave.
Sa i përket aktivitetit dhe veprimtarisë së Kuvendeve të komunave, MPL, ka evidentuar të gjitha informatat që i kishte në dispozicion, gjatë procesit të monitorimit, por njëkohësisht ka dërguar edhe pyetësorë për të konfirmuar këto të dhëna tek të gjitha komunat.
Sa i përket Komunës së Pejës dhe Istogut, MPL sqaron për publikun se informatat janë dërguar për verifikim dy herë radhazi në komunat përkatëse. Informatat janë konfirmuar nga zyrtarët përgjegjës në dy komunat, prandaj saktësia e informatave të paraqitura në raport i adresohet zyrtarëve komunal të cilët ligjërisht janë të detyruar të informojnë organin mbikëqyrës në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Gjithashtu, këto të dhëna janë vërtetuar edhe nga pikat e rendit të ditës për mbledhjet e kuvendeve të komunave gjatë kohës së pandemisë, të dërguar në MPL. Pra ndarja e mjeteve financiare për menaxhimin e pandemisë për COVID-19 përmes kuvendeve nuk është realizuar nga këto komuna.
MPL është e gatshme të ofrojë informacion shtesë dhe qasje në komunikimin zyrtar dhe në dokumentat publike për të gjitha palët e interesuara.