Prishtinë, 24 Korrik 2019
Sot, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, USAID / LEGA dhe katërmbëdhjetë komuna nënshkruan marrëveshje mirëkuptimi për zbatimin e projektit pesëvjeçar.
Fokusi i këtij projekti është përfshirja e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes, zhvillimi i bashkëpunimit ndërkomunal dhe përmirësimi i kuadrit ligjor.

Me këtë rast, Ministrja Hodžić theksoi: “Në cilësinë e Ministres së Administrimit të Pushtetit Lokal, gjendem sot këtu për të garantuar mbështetjen tonë si institucione, që përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm në aktivitetet tona të përbashkëta me USAID, ne kontribuojmë në zbatimin e suksesshëm të këtij projekti. Lajm i mirë është se fushat të cilat përfshihen me realizimin e këtij projekti përshtaten me qëllimet e strategjisë dhe punës së ministrisë tonë, e cila lehtëson bashkëpunimin tonë, drejt avancimit të vetëqeverisjeve tona lokale.
Forcimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe promovimi i diversitetit në komuna paraqet një objektivë specifike në Strategjinë për Vetëqeverisjen Lokale 2016-2020, e cila është edhe kërkesë e vazhdueshme në raportet e institucioneve të BE-së. Realizimi i projektit USAID / LEGA në këtë drejtim kontribuon në përmbushjen e këtyre qëllimeve strategjike.
Marrëveshja e Mirëkuptimit për fillimin e projektit pesëvjeçar “USAID / LEGA”, në vlerë prej 12 milion euro, që synon përmirësimin e performancës së shërbimeve komunale për qytetarët; përfshirjen e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes dhe fuqizimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe promovimin e diversitetit në 14 komuna.
Me këtë rast, ftoj të gjithë përfaqësuesit e qeverive lokale që të jenë sa më aktiv dhe azhur, meqë realizimi adekuat i këtij projekti do të kontribuojë më së shumti për bashkëqytetarët tuaj”.
Komunat që kanë nënshkruar marrëveshjet janë: Dragash, Graçanicë, Klinë, Ranillug, Kllokot, Vushtrri, Mitrovica Veriore, Zveçan, Novobërdë, Leposaviq, Istog, Shtërpcë, Partesh dhe Obiliq.