Prishtinë, 31 tetor 2018
Zëvendësministri i MAPL-së, z. Beqir Fejzullahu, sot me datë 31 tetor 2018, ka marrë pjesë në takimin e organizuar nga OSBE-ja lidhur me gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për qasje në arsim për komunitetet në minoritet numerik në Prishtinë, Graçanicë dhe Lipjan.
Në fjalimin e tij zëvendësministri Fejzullahu tha se “Duke u bazuar në mandatin e përcaktuar me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Nenin 7 (2) të Ligjit për Arsimin Para Universitar që përcakton se ushtrimi i përgjegjësive dhe detyrave të komunës në fushën e arsimit para universitar monitorohet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, MAPL-ja në gusht të këtij viti ka kërkuar nga komuna e Prishtinës, Graçanicës dhe Lipjanit konkretisht për nxënësit e fshtrave: Janjevë, Bërnicë e Poshtme, Radevë, Suhadoll, Skullan, të respektojnë obligimet ligjore dhe të bëjnë një zgjidhje të qëndrueshme për të ofruar transport për nxënësit që udhëtojnë për të ndjekur arsimin parauniversitar ndërjmet këtyre komunave.
Këto komuna: Prishtinë, Graqanicë dhe Lipjan, duke respektuar obligimet ligjore për zbatimin e plotë të kësaj të drejte, Ligjit për arsim dhe ligjeve tjera nga institucionet shtetërore, duhet të organizojnë transport për nxënësit për të vijuar mësimin, mundësisht falas, ose me kosto të arsyeshme për familjarët dhe presim që ky kriter të përmbushet gjatë këtij viti.
Me qëllim të mbështetjes së vazhdueshme për qytetarët tanë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim edhe me OSBE-në, do të vazhdojë të ofrojë përkrahje dhe ndihmë të nevojshme në zbatimin dhe realizimin e plotë të kësaj kërkese dhe bashkëpunimin e mëtutjeshëm, tha zëvendësministri Fejzullahu.